Fjalori dygjuhësh maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht është hartuar me iniciativën e organizatës joqeveritare Qendra Nansen Dialog – Shkup dhe Zyrës së Komisarit të Lartë për Pakicat Kombëtare të OBSE-së.

 Të gjitha fjalët e përfshira në këtë fjalor janë përzgjedhur në mënyrë të veçantë dhe me shumë kujdes, për t`u shërbyer të rinjve-nxënësve të shkollave fillore të Republikës së Maqedonisë lidhur me lëndën e gjuhës maqedonase, si lëndë të obligueshme (në shkollat fillore në gjuhën shqipe) dhe lëndën  e gjuhës shqipe, si lëndë zgjedhore (në shkollat fillore në gjuhën maqedonase). Megjithatë,  ky fjalor është hartuar që të lehtësojë mësimin e shqipes dhe /ose maqedonishtes si gjuhë joamtare ose e huaj. Por jemi të mendimit se ky fjalor mund t`i shërbejë edhe një rrethi më të gjerë shfrytëzuesish.

Ekipi i autorëve të projektit në fjalë, iu përgjigj pozitivisht sfidës për të hartuar këtë fjalor dygjuhësh-dykahësh, i cili do të përfshinte nga 4500, përkatësisht 9000 fjalë në dy kahe, fjalë këto të nxjerra kryesisht nga librat e gjuhës maqedonase të klasës IV deri në klasën IX të shkollave fillore në gjuhën shqipe, përkatësisht fjalë të nxjerra nga librat e gjuhës shqipe prej klasës V – IX të shkollave fillore në gjuhën maqedonase. Përveç fjalorit, kemi përgatitur edhe nga një gramatikë të shkurtër për të dy gjuhët. Kërkesat e këtilla të organizatorëve të projektit paraqitnin një sfidë për autorët. Problemi qëndronte në atë se si do të mund të tejkaloheshin disa dukuri, si:

a) dallimi i madh në njohuritë paraprake rreth zotërimit të të dy gjuhëve nga nxënësit, përkatësisht, mosnjohja e gjuhës në shkallë të njëjtë nga të dy grupet e nxënësve, sepse gjuha e dytë, gjuha maqedonase (te nxënësit shqiptarë), mësohej dhe vazhdon të mësohet nga klasa IV (si lëndë e obligueshme) e deri në fund të shkollimit, ndërsa grupi tjetër i nxënësve maqedonas, që disa vite ka filluar ta mësojë gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore;

b) cilat fjalë do të vileshin nga librat shkollorë (të lejuara dhe të botuara me lejen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës) në të dy gjuhët e fjalorit, dhe të njëjtat të jenë të pranueshme edhe nga nxënësit e klasës së katërt, edhe nga ata të klasave më të larta (deri në të nëntën) të shkollave fillore shqipe, përkatësisht nga nxënësit e klasës së pestë deri në klasën e nëntë të shkollave fillore maqedonase? Vallë ky fond  fjalësh i përfshirë në këtë fjalor do të ishte i përshtatshëm edhe për ribotimet e reja të përmirësuara të këtyre librave ose të librave të tjerë, pasi që ndryshimi dhe plotësimi i programeve mësimore është proces që ndodh, andaj dhe lind pyetja se si mund të përzgjidheshin fjalë të tilla që t’u qëndrojnë ballë edhe këtyre ndryshimeve? Këtë problem e kapërcyem dhe e zgjidhëm duke u mbështetur në kompetencat dhe nevojat gjuhësore që mund t’i kenë të rinjtë nga mosha 10 – 15 vjeçare; dhe

c) problemi më i vështirë, si të hartohen dy gramatika, për të dy gjuhët veç e veç, duke u mbështetur në programet (edhe atë: 6 programe për nxënësit shqiptarë dhe 5 programe për nxënësit maqedonas)? Si të përpilohen këto gramatika të tilla që t`u t’u shërbejnë nxënësve të klasave të nivelit të ndryshëm, kur mirëfilli dihet se secila klasë ka program të veçantë për mësimin e pjesës së gramatikës të përfshirë në libër. Më në fund, vendosëm që përzgjedhja e materialit për hartimin e gramatikave të merret nga klasat më të larta. E zgjodhëm këtë mënyrë për t’i hartuar gramatikat, duke menduar se një qasje e tillë është më e mira dhe më e qëlluara për raste të këtilla.

Në fjalor punuan katër autorë dhe ndarja e përgjegjësive ishte si vijon: Haki Ymeri dhe Petar Atanasovi punuan në krahun maqedonisht-shqip të fjalorit, ndërsa Berton Sulejmani dhe Veselinka Labroska – në krahun shqip-maqedonisht të fjalorit.  Gramatikën e shkurtër të gjuhës standarde shqipe e ka hartuar Berton Sulejmani, ndërsa gramatikën e shkurtër të gjuhës standarde maqedonase e ka hartuar Veselinka Labroska.

Mendojmë se këto probleme i kemi kapërcyer në mënyrën më të mirë të mundshme dhe, sadopak, do të kontribuojmë në mësimin më të lehtë dhe më praktik të gjuhës maqedonase në shkollat ​​fillore në gjuhën shqipe, ose të gjuhës shqipe (si lëndë zgjedhore) në shkollat ​​fillore në gjuhën maqedonase. Mendimi ynë është se e gjithë kjo, pa dyshim, do të zgjojë interes për ta mësuar maqedonishten dhe shqipen si dhe kulturat përkatëse të këtyre dy popujve.

Autorët