Të dashur nxënës!

Në duar e keni fjalorin dygjuhësh maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht dhe nga një gramatikë të shkurtër për të dy gjuhët veç e veç. Dëshira e autorëve është që ky fjalor të jetë i qartë dhe i dobishëm për të gjithë nxënësit që e mësojnë maqedonishten përkatësisht shqipen si gjuhë joamtare. Nëse njohja e një gjuhe tjetër është pasuri, pasuria është më e madhe në qoftë se ju mësoni gjuhën e fqinjit, shokëve tuaj nga rrethi e nga shkolla me të cilët ndani gjëra të përditshme, të vogla e të mëdha. Mirëkuptimi i ndërsjellë mund të arrihet kur e kuptojmë njëri-tjetrin, kur fjalët e një gjuhe janë të qarta e të kuptueshme edhe për gjuhën e vet, por edhe për gjuhën e tjetrit.

Burim kryesor i vjeljes dhe përfshirjes së fjalëve në këtë fjalor janë librat e shkollave fillore, në rend të parë librat e gjuhës maqedonase si gjuhë joamtare, dhe librat e gjuhës shqipe si gjuhë jomatare: „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ (Gjuha maqedonase për nxënësit e nacionaliteteve tjera) për klasën e katërt të autores Lidija Zabroska; „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e katërt të autorit Bojko Kiranxhiski; „Македонски јазик за четврто одделение за учениците од другите заедници“ të autorëve Biljana Krtolica, Violeta Mitovska dhe Vesna Gavrisovska-Avramovska; „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e pestë të autorëve Lidija Zaborska, Servete Fida dhe Katerina Spasovska; „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e gjashtë të autorëve Zora Andonovska dhe Suzana Kuleska; „Македонски јазик за паралелките со настава на албански и турски јазик“ (Gjuha maqedonase për paralelet me mësim në gjuhën shqipe dhe me mësim në gjuhën turke) për klasën e shtatë të autorëve Nada Nikolovska, Liljana Eftimova dhe Anastasija Stojanovska; „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e tetë të autoreve Nada Nikolovska dhe Milica Petrushevska; „Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e tetë të Kosara Goçkovas; Македонски јазик за учениците од другите заедници“ për klasën e nëntë të Bojko Kiranxhiski, Vojo Veljanovski dhe Rasko Lozanovski; si dhe librat e gjuhës shqipe: Gjuhë shqipe për kl. V, të vëllezërve Asllan dhe Ismail Hamiti; Gjuhë shqipe për kl. VIII të Xhemaludin Idrizit; “Të mësojmë shqip” të Mustafa Ibrahimit.

Fjalori, gjithashtu përmban një numër të historicizmave, arkaizmave, dialektizmave, shprehjeve poetike dhe fjalë nga gjuha e folur, që janë thelbësore gjatë procesit të përvetësimit të përmbajtjeve mësimore jo vetëm nga lënda e gjuhës joamtare, por edhe të lëndëve tjera. Në secilën nga dy kahet e fjalorit dygjuhësh janë përfshirë nga rreth 4500 fjalë.

Në fjalor janë përpunuar edhe një numër i vogël i ndërkombëtarizmave dhe fjalëve të fushave të profesioneve të ndryshme. Shumica e fjalëve ndërkombëtare (ndërkombëtarizmave) që janë të njëjta si nga forma fonetike dhe kuptimore për të dy gjuhët nuk i kemi marrë parasysh, gjithnjë me qëllim që pa nevojë të mos ngarkohet fjalori. Fjalët që shprehin ngjyrime stilistike e figurative të veçanta, si: format e shprehjeve pejorative, augmentative, deminutive dhe formave hipokoristike që janë tipike për gjuhën maqedonase dhe shqipe i kemi theksuar në mënyrë të veçantë. Në pjesën e mëposhtme, përkatësisht pas parathënies, kemi dhënë një udhëzues të shkurtë për mënyrën e përdorimit dhe një pasqyrë të plotë të shkurtesave për të dy pjesët e fjalorit. Për në fund, autorët dhe organizatorët janë të hapur për sugjerimet eventuale të cilat do të kontribuonin për përmirësimin e tij.